HISTORIK

Marrëveshja për krijimin e portalit albanologjik Shqipëri-Kosov u nënshkrua nga Prof. dr. Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Prof. dr. Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Tiranë më 5 mars 2011. Ajo mbështetet në Marrëveshjen dypalëshe kulturore të Autoriteteve Eprore, nën të cilat Biblioteka Kom­bë­tare e Shqipërisë (BKSh) dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Ko­so­vës (BKUK) ushtrojnë veprimtarinë, në vijim dhe plotësim të Marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit ndërmes BKSh dhe BKUK, në zbatim të Rezolutës së Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë “Shkenca e bibliotekave dhe Albanologjia”. Promovimi i projektit për krijimin e portalit u realizua në Prishtinë gjatë ditëve të zhvillimit të veprimtarisë kulturore Java e Bibliotekave në Kosovë (prill 2011).
Portali albanologjik është shërbim pa pagesë, që ofron informacion të larmishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku vend të veçantë zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e digjituara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Nëpërmjet tij mundësohet kërkimi dhe qasja në vlerat e rralla të trashëgimisë kombëtare në çdo kohë, nga kudo dhe nga kushdo. Website-i ofron shërbime si: të dhëna rreth historikut të krijimit të portalit; informacion për botime albanologjike, albanologë, hyrje të reja (libra, artikuj, periodikë) në të dy bibliotekat gjegjëse; qasje në burime të kombinuara digjitale dhe jo-digjitale, burime bibliografike etj.