KËNDI I ALBANOLOGËVE

Roberto ALMAGIÀ (1884 - 1962)

Gjeografi dhe hartografi italian gjatë viteve 1915-1959 ishte profesor në Universitetin e Romës. Themeloi e drejtoi kolanën “Le Regioni d’Italia” të shtëpisë së njohur botuese “UTET”. Mes viteve 1925-1937 drejtoi seksionin gjeografik të Enciklopedisë Italiane. Është autor i shumë studimeve, i një atlasi gjeografik dhe i disa hartave të njohura murale. Në bibliografinë e tij të pasur të studimeve gjeografike veçohen: Studi storici di cartografia napoletana, 2 vol. (1913); La cartografia dell’Italia nel Cinquecento (1915); Monumenta Italiae cartographica (1928); Monumenta Cartographica Vaticana, 4 vol. (1944 – 1955).
Edhe Shqipëria u bë objekt i vëmendjes dhe interesave shkencore të Almagià-s. Më 1913 mori pjesë në një ekspeditë gjeografike në Shqipëri, e cila i dha të dhëna të konsiderueshme. Ndër veprat e tij me tematikë albanologjike ruajnë vlera historike e aktuale: Le più antiche rappresentazioni cartographice della regione albanese ["Paraqitjet më të vjetra hartografike të territorit shqiptar"] (Romë, 1914); Intorno al carattere ed alla distribuzione dei centri abitati nell’Albania Centrale ["Rreth karakterit dhe përhapjes së qendrave të banuara në Shqipërinë Qendrore"] (Romë, 1914). 15 vjet më pas botoi Le nuove carte dell’Albania ["Hartat e reja të Shqipërisë"] (Romë, 1929) dhe L’Albania ["Shqipëria"] (Roma 1930). (M. Gj.)

 

Graziado Isaia ASCOLI (1829-1907)

Orientalist dhe glotolog i shquar, Ascoli njihet edhe si themelues i gjuhësisë krahasuese italiane. Kontributet e tij shfaqen më 1870 në Corsi di glottologia, rezultat i një pune dhjetëvjeçare, ku i jepet formë përfundimtare një fushe që menjëherë u çmua në mjediset më të kualifikuara kulturore. Më 1873 botoi vëllimin e parë të Arkivit glotologjik italian.
Në veprën Studj critici (frammenti albanesi) ["Studime kritike (fragmente shqiptare)"] zhvillon pikëpamjet mbi gjuhën tonë. Vepra Studj critici, u botua në dy pjesë: Cenni sull’ origine delle forme grammaticali. Saggi di dialettologia italiana. Colonie straniere in Italia. Frammenti albanesi. Gerghi ["Shënime mbi origjinën e formave gramatikore. Sprova për dialektologjinë italiane. Ngulimet e huaja në Itali. Fragmente shqiptare. Zhargonet"] (Goricia, 1861) dhe Saggi e appunti. Saggi italici. Saggi indiani. Saggi greci. Indici annotati d’entrambi i volumi ["Sprova e shënime. Sprova italike, indiane dhe greke. Tregues me shënime për të dy vëllimet"] (Romë, Torino, Firence, 1877). Vëllimi i parë është shqyrtim i gjerë i një vepre të B. Biondellit, botuar në 1856, mbi origjinat e formave gramatikore të dialekteve të italishtes, të ngulimeve të huaja në Itali, e literaturës popullore të Epirit (Shqipëri). Duke rishikuar këto argumente me materialet e mbledhura personalisht, Ascoli u jep atyre një karakter krejtësisht të ri. Në vëllimin e vitit 1877 analizon veprën e Kamardës Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese ["Sprovë e gramatologjisë krahasuese për gjuhën shqipe"]. Veç trajtimit të dukurive të gjuhës shqipe dhe të folmes së saj në kolonitë arbëreshe të Italisë, sjell të dhëna me interes edhe për këngët shqiptare të kënduara nga arbëreshët e Molisës e të panjohura më parë. (M. Gj.)

 

Franz BABINGER (1891 – 1967)

Historian, orientalist dhe ballkanolog që në moshën 25-vjeçare zgjidhet profesor titullar i Universitetit të Berlinit, rast i rrallë për moshën e tij fare të re. Vepra Die Geschichtsschreiber der Osmanen und ihre Werke ["Historianët osmanë dhe veprat e tyre" (Lajpcig, 1927) u kthye në manual të vërtetë për çdo turkolog.
Viti 1928 e gjen në një udhëtim të gjatë shkencor në Ballkan dhe Shqipëri ku mbledh dhe koleksionon dorëshkrime orientale për Akademinë e Zagrebit. Me përshtypjet mbi Ballkanin botoi një varg artikujsh si: Mbi teqen e Sari Salltikut në Bllagajë, Depërtimi në tokën shqiptare, Në atdheun e Cena begut, Te dervishët e Krujës, Shqipëria etj. Disa botime njohën veprat Ewlijâ Tschelebi’s Reisewege in Albanien ["Udhëtimi i Evlija Çelebiut në Shqipëri"](1930), Die Gründung von Elbasan ["Themelimi i Elbasanit"] (1931) etj. Në Ein erdichtetes Werk über Skanderbeg ["Një vepër e trilluar mbi Skënderbeun"](1934) për të parën herë hidhet dyshimi mbi autenticitetin e veprës së Biemmit (1742). 
Vepra kryesore e Babinger-it Mehmed der Eroberer und seine Zeit ["Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij"] (1953)u botua e ribotua në disa vende. E shqipëruar u botua më 2005 në Tiranë, mbasi kish njohur më parë një përkthim edhe në Prishtinë. Në vepër është realizuar portreti objektiv i njërit prej personaliteteve më të ndërlikuar të historisë, sulltan Mehmetit të Dytë.Mbështetur mbi dokumentet veneciane shkroi Das Ende der Arianiten ["Fundi i arianitëve"] (1960), botuar dy herë edhe në shqip. Kësaj teme iu rikthye edhe në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike (1962, bot. 1965) në Tiranë. Vepra e fundit e Babinger-it ishte përgatitja për botim dhe pasurimi me të dhëna e shënime i bibliografisë së njohur të A. Petroviç-it për Skënderbeun Scanderbeg (Georges Castriota). Essai de bibliographie raisonnée...(1881), botim anastatik (1967), e cila ishte bazë e shfrytëzuar deri atëherë dhe më pas mbi Skënderbeun.
Schriftenverzeichnis. Würzburg (1938), titullohet bibliografia e punimeve personale të realizuara deri në këtë vit, hartuar nga vetë Babinger-i e cila përmbledh rreth 500 tituj artikujsh e veprash shkencore. Deri sa vdiq aksidentalisht në Durrës më 1967, kjo bibliografi u pasurua vazhdimisht. (M. Gj.)

 

Antonio BALDACCI (1867 – 1950)

            Botanist dhe gjeograf italian, profesor në Universitetin e Bolonjës.
Prej fundit të shekullit XIX dhe në dekadat e para të shekullit XX, disa herë vizitoi Gadishullin e Ballkanit për eksplorime që u përkasin shkencave natyrore. Kujdesi kryesor i tij ishte botanika, ndaj edhe më të shumtën e kohës dhe të fuqive ua kushtoi shqyrtimeve të florës dhe veçorive të gjeografisë bimore të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Greqisë deri në Kretë. Vetëm në Shqipëri, që prej vitit 1888, kur hyri për herë të parë, mblodhi 100 mijë ekzemplarë bimësh.
Duke pasur interesa më të gjera shkroi një varg studimesh e artikujsh mbi gjendjen ekonomike dhe politike të rajoneve që vizitoi. Dha përmes botimeve të tij, që zënë një bibliografi të pasur, të dhëna dhe përfundime të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët në fushat e gjeografisë rajonale, toponomastikës, antropologjisë, historisë, arkeologjisë, agronomisë etj. Vëllimet Itinerari albanesi (1892 – 1902) con uno sguardo generale all’Albania e alle sue comunicazioni stradali. ["Rrugëtime shqiptare: (1892 – 1902) me një shqyrtim të përgjithshëm mbi Shqipërinë dhe rrugët e saj të komunikacionit"] (Romë, 1917), Albania ["Shqipëria"](Romë, 1929), vepër gjeografike, por edhe politike, që pasuroi pararendësen e saj të vitit 1926, Studi speciali albanesi ["Studime të posaçme shqiptare"] me tre seritë: histori e politikë (1932), ekonomi, mineralogji, pylltari, agronomi, zootekni (1933) dhe seria shkencore (1937), përbëjnë një korpus prej 1463 faqesh. Së bashku me shumë artikuj në shtypin shkencor botanik, gjeografik etj., janë një burim i çmuar për studiuesit e shkencave albanologjike.
U nderua me shumë çmime akademikë në disa vende të Europës. Shteti shqiptar e emëroi konsull-nderi në Bolonjë, qytetin e tij të lindjes. (M. Gj.)

 

Henrik BARIĆ (1888 - 1957)

Gjuhëtar kroat, profesor i Universitetit të Zagrebit. Interesat e tij shkencore ishin të gjera, që nga letërsia e vjetër latine, te krijimtaria e Rilindjes Europiane, studimet krahasuese linguistike europiane, deri te veçoritë e rumanishtes, serbishtes e më tej. Në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoeuropiane pati fokus të veçantë shqipen dhe përgjithësisht albanologjinë. Raporti i gjuhës shqipe me gjuhët e lashta të Ballkanit, djepi ballkanik i shqiptarëve dhe vendi i formimit të shqipes u studiuan gjatë gjithë jetës së tij shkencore. Evidentoi fjalë të reja të cilat pasuruan më tej fondin indoeuropian të gjuhës shqipe. Trajtoi dukuri të fonetikës historike të shqipes. Përmes krahasimit të marrëdhënieve të ndërsjella gjuhësore mes shqipes dhe rumanishtes, por edhe mes trashëgimisë së pasur dhe të vjetër kulturore të dy popujve, prirej ndaj prejardhjes trake të gjuhës sonë dhe vetë shqiptarëve.
Bariç ka mbrojtur tezën se gjuha shqipe e ka burimin te trakishtja – bijë e trakishtes – dhe më vonë, si pasojë e dyndjeve të popujve të lashtë të Ballkanit, është ilirizuar, por jo në atë masë sa të humbasë karakteristikën e saj themelore trake. Mes viteve 1923-1926 drejtoi revistën albanologjike Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju ["Arkiv i lashtësisë, gjuhës dhe etnologjisë shqiptare" (Beograd). Në këtë organ afroi studiuesit më të njohur në fushën e kërkimeve albanologjike si Jokl, Treimer, Meyer-Lübke, Tagliavini, Skok etj. Ndër veprat e tij të njohura me tematikë albanologjike renditen: Albanorumänische Studien ["Studime shqiptare-rumune"](1919); Po ilirskim tragovima ["Në gjurmët e ilirishtes"](1921); Ilirske jezične studije ["Studime gjuhësore ilire"](1948); Poreklo arbanasa u svetlu jezika ["Prejardhja e shqiptarëve në dritën e gjuhës" (1954); Hymje në historinë e gjuhës shqip (1955), serbokroatisht (1959); Rečnik srpskoga ili hrvatskoga i arbanskoga jezika I ["Fjalor serbokroatisht – shqip"](1950). (M. Gj.)

 

Marcin BIELSKI (1495 - 1575)

            I pari autor polak, i cili u mbështet te Barleti për hartimin e një vepre tjetër për Skënderbeun, është Marcin Bielski ose Wolski. Lindi në Biala të provincës Sieradz. Vdiq në vendlindje.
Në letërsinë polake njihet si poet, kronist e përkthyes. Për pikëpamjet reformiste bashkëkohësit e quajtën "Luter të dytë". Vepra e tij e parë titullohet Zywoty filozofow (Jeta e filozofëve) (1535), e cila konsiderohet adaptim i “De Vita et Moribus Philosophorum” e Gwalter Burlejt. Komedia Justina y Konstanciey [Komedia e Justinit dhe Konstancës](1557) është një nga të parat e këtij lloji në letërsinë polake.
Vepra historike Kronika wszytkiego świata na sześć wieków... ["Kronika e mbarë botës"] (1551) është e para kronikë e letrave polake. Sa qe gjallë e botoi edhe më 1554 dhe 1564 në Krakov. Në botimin e tretë, mes faqeve 241 – 258, shtoi O Skanderbegu Macedonia albańskim książęciu ["Për Skënderbeun, princ shqiptar i Maqedonisë"] (1564). Kjo kronikë, më e gjata në veprën e Bielskit, u botua më vete në Varshavë më 1961. Është mbështetur në veprat e Volaterrano-s, Piccolomini-t, Iovio-s si dhe në kronikat hungareze etj., çka na bën të shohim tek autori një kronikan të njimendtë. Mbështetja në veprën e Barletit është e dukshme. Disa fakte dhe pikëpamje të Kronikës ranë ndesh me Kishën Katolike dhe libri u fut në listën e veprave të ndaluara. Censura e kohës u shpreh për të: “Latet anguis in herba” (“Në bar fshihet gjarpri”). Vepra e Bielski-t mbetet dëshmi e popullaritetit të Skënderbeut në Europë edhe një shekull pas vdekjes së tij. (M. Gj.)

 

Franz BOPP (1791-1867)

Gjuhëtar gjerman, profesor i Universitetit të Berlinit. Në moshën 25-vjeçare botoi veprën e parë Über das Konjugationssystem der Sanskritsprache in Vergleichung mit jenen der griechischen, lateinischen persischen und germanischen Sprache ["Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritishtes në krahasim me atë të greqishtes, latinishtes, persishtes dhe gjermanishtes"] (Frankfurt, 1816). Mbahet si vepra themeluese e gjuhësisë së re krahasuese indoeuropiane.
Në rrethin e interesave të tij shkencore dallohet edhe gjuha shqipe. Dha ndihmesë nismëtare për vështrimin në rrafshin krahasues të strukturës gramatikore të shqipes. Që nga fundi i viteve ’30 të shekullit XIX iu drejtua shqipes dhe prejardhjes së saj. Fillimisht më 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit, që ka mbetur i pabotuar, analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe. Në këtë kumtesë hodhi qartë idenë se shqipja i përket familjes gjuhësore indoeuropiane. Iu rikthye në vitet ’50 kërkimeve dhe studimit të thelluar të shqipes. Bopp ka hyrë në historinë e shkencave albanologjike si studiuesi i parë që argumentoi bindshëm, përmes një analize shkencore, karakterin indoeuropian të gjuhës sonë. Në këto përfundime arriti pas një pune dhe kërkimi të gjatë.
Në monografinë Über das Albanesische in seinen verwandtschaflichen Beziehungen ["Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e farefisnisë gjuhësore të saj"](Berlin, 1855),në të cilën strukturën morfologjike të shqipes ia nënshtroi një analize sistematike, konstatoi që gjuha shqipe, ashtu si gjuhët e tjera indoevropiane, i kishte elementet kryesore të strukturës së saj gramatikore nga gjuha e përbashkët indoevropiane por në përbërësit e saj themelorë nuk ka lidhje të ngushtë dhe nuk rrjedh prej asnjërës nga motrat e tjera sanskrite. (M. Gj.)

Ami BOUÉ (1794 - 1881)

Mjeku francez Ami Boué lindi në Hamburg. Në Vjenë kaloi pothuaj tërë jetën. Në universitetet e Edinburgut, Parisit, Berlinit dhe Vjenës studioi mjekësinë, por pasioni i tij i vërtetë ishin etnologjia dhe gjeologjia, për të cilat la disa vepra. Ishte anëtar i disa institucioneve shkencore të Francës, Zvicrës, Çekisë etj. Filloi me Essai géologique sur l’Ecosse (1820) dhe Memoires  géologiques et paléontologiques (1830).
Interesat shkencore e çuan në Turqinë Europiane, përfshirë dhe Shqipërinë, të cilën e përshkoi tri herë. Rezultatet kërkimore i parashtroi në mbi pesë vepra, por me interes të veçantë, edhe për shkencat albanologjike, mbeten dy: e para, La Turquie d’Europe, ou observations sur la géographie, la géologie, l’histoire naturelle, la statistique, l’archéologie, le moeurs, les coutumes, l’agriculture, l’industrie, le commerce, l’histoire et l’état politique de cet empire ["Turqia Europiane ose vrojtime mbi gjeografinë, gjeologjinë, historinë natyrore, statistikën, arkeologjinë, doket e zakonet, bujqësinë, industrinë, tregtinë, historinë dhe gjendjen politike të kësaj perandorie"] (1840), e përbërë prej katër vëllimesh me rreth 2200 faqe, siç vërehet nga vetë titulli, ka një shtrirje tematike të gjerë.
Në vëllimin e parë të veprës Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe, details géographiques, topographiques et statistiques sur cet empire ["Përmbledhje itinerarësh në Turqinë Europiane, detaje gjeografike, topografike dhe statistike për këtë perandori"] sjell të dhëna e përfundime me interes për gjeografinë dhe topografinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë osmane. Vepra u botua më 1854. Më 1840 pa dritën e botimit edhe një vepër tjetër me interes për gjeologjinë e Shqipërisë, me të dhëna për rezervat natyrore të Fushë-Krujës, Selenicës, Vlorës, Dibrës etj. Vepra titullohet Esquisse géologique de la Turquie d’Europe ["Përshkrim gjeologjik i Turqisë Europiane"]. (M. Gj.)

 

Jacques BOURCART (1891 – 1965)

            Titullari i Katedrës së Gjeologjisë në Universitetin e Sorbonës (Paris), njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave dhe president i Shoqatës Gjeologjike të Francës, në vitet e para të veprimtarisë së tij shkencore pati për objekt kryesisht Shqipërinë.
E sollën në vendin tonë rrethanat e Luftës I Botërore kur, si pjesëtar i Armatës franceze të Lindjes, më 1917 u vendos në Korçë, ku më pas qëndroi në përbërje të administratës ushtarake franceze në zonën juglindore. Autor i mbi 300 artikujve dhe librave shkencorë, rreth 40 prej të cilave ia kushtoi Shqipërisë. Siç shprehej edhe vetë “për historianin, etnografin ose sociologun, Shqipëria është një vend i banuar nga njëri prej popujve më të vjetër të Europës, i cili, si për mrekulli i ka ruajtur gjuhën dhe doket e tij, që janë njëkohëse me lashtësinë greke”. Njihet si një ndër themeluesit e gjeologjisë alpine të Shqipërisë; njëkohësisht hodhi bazat e gjeografisë fizike të Shqipërisë Juglindore.
Një tablo njohëse dhe shkencore mbi Shqipërinë, gjejmë në veprën L’Albanie et les Albanais [Shqipëria dhe shqiptarët] (Paris, 1921), ku nënvizoi unitetin etnik, antropologjik e gjuhësor të shqiptarëve. Vepër klasike mbi gjeologjinë dhe gjeografinë e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore mbetet Les confins albanais administrés par la France (1916 – 1920) : contribution à la geographie et a la géologie de l’ Albanie Moyenne (Paris, 1922) ["Trevat shqiptare të administruara nga Franca: ndihmesë mbi gjeografinë dhe gjeologjinë e Shqipërisë së Mesme"]. Në shtypin shkencor francez publikoi artikuj e studime pjesorë me vlera të qëndrueshme shkencore mbi aspekte të veçanta të gjeologjisë së Shqipërisë si stratigrafia, tektonika, ndër to: Une hypothèse sur la formation de l’Adriatique ["Hipotezë mbi formimin e Adriatikut"](1924), Gisements pliocènes du Lac de Scutari (Albanie) ["Depozitimet pliocenike të Liqenit të Shkodrës (Shqipëri)"] (1926). (M. Gj.)

 

Nilo CATALANO (1637 - 1694)

Studiues italian. Lindi në rrethinat e Mesinës. Që në moshën 22-vjeçare nisi jetën murgare në manastirin e njohur të Grotaferratës pranë Romës, ku punuan e studiuan arbëreshë të njohur. Atje mësoi edhe greqishten e re dhe të vjetrën; me sa duket edhe shqipen. Në Mezzoiuso (Munxifsi), fshat arbëresh, praktikoi shqipen mes viteve ’60 të shek. XVII. Mbas një çerek shekulli rikthehet në atë komunitet arbëresh.
Me librat e botuar deri në atë kohë mësoi shqipen e shkruar të dialektit verior. Kjo i krijoi mundësinë të dallojë qartë afrinë mes dy dialekteve. Jeta shkencore e murgare e përgatiti Catalano-n për misionin bazilian të Himarës. Nga papa mori titullin e lartë të peshkopit të Durrësit (1693). Po atë vit filloi misionin në Himarë. Predikoi edhe në zonat në brendësi të vendit, deri në Kuç e Zhulat, ku zgjerohej kjo krahinë. Në krye të misionit çeli shkolla në të cilat mësohej shqip doktrina e krishterë, fillimisht në Dhërmi, ku vinin nxënës edhe nga thellësia e Labërisë, madje edhe nga Vithkuqi i Korçës. Mësoheshin edhe lëndë reale si aritmetika etj. Vdiq dhe u varros në Dhërmi.
Nga Catalano mbeti një fjalor dorëshkrim shqip-italisht e italisht-shqip, Vocabolario albanese – italiano ed italiano – albanese, shkruar, sipas traditës së atëhershme të botimeve shqipe, me alfabetin e Veriut. Dy veprat nuk njihen drejtpërdrejt nga studiuesit e sotëm. Dorëshkrimet mbas një rruge të gjatë, i pati në bibliotekën e tij edhe Zef Skiroi. Sot ndodhen në Universitetin e Kozencës. U pasuan nga një Sprovë gramatike e shqipes me pjesë nga Bogdani, poezi arbëreshe etj., me rëndësi për gjurmët e para të gramatologjisë dhe leksikografisë shqiptare. Citohet dhe përshkruhet ende sipas të dhënave të tërthorta. Gramatika i shërbeu për shkollën shqipe të Himarës. (M. Gj.)

 

Carleton Stevens COON (1904 - 1981)

Lindi në Wakefield, Mass.(SHBA). Rreth 15 vjet (1934-1948) ishte profesor në Universitetin e Harvardit dhe po aq në atë të Pensilvanisë (1948-1963). Gjatë periudhës së dytë ishte edhe kurator i etnologjisë i Muzeut Universitar të Filadefias. Realizoi kërkime antropologjike e kulturore në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme, Amerikën Jugore dhe Indi. Ndër veprat e tij të njohura shquhen Tribes of Rif (1931), Reader in General Anthropology (1948), The Story of Man (1954), The Seven Caves (1957), Origin of Races (1962).
Veprimtaria shkencore e solli edhe në Shqipëri ku gjatë viteve 1929-1930 realizoi matje e këqyrje antropometrike mbi 1067 shqiptarë në 10 zona të mëdha të Veriut. Studimet i thelloi më tej në vitet 1946-47 mbështetur në të dhënat antropometrike të shqiptarëve me banim në rrethinat e Bostonit.
Vepra e tij The Mountains of Giants ["Malet e gjigantëve"] (1950, 1970) cilësohet si më e plota mbi antropologjinë e shqiptarëve. Krahas të dhënave antropologjike, në të trajtohen mjediset natyrore dhe sociale si faktorë me ndikim të rëndësishëm mbi organizmin e njeriut, veçanërisht në periudhën e rritjes. Përfundimi i kërkimeve rezultoi në përcaktimin e një tipi homogjen të shqiptarëve të ekzaminuar. U arrit në konkluzionin se popullsia e Shqipërisë Veriore, duke qenë e izoluar dhe lokalizuar prej kohësh, duket më dinarikja në botë. (M. Gj.)

 

Fulvio CORDIGNANO (1887-1952)

Misionari italian lindi më 1887. Më 1912 emërohet magjistër në Kolegjin Saverian në Shkodër (1912-1916). Në vitet 1917-20 plotësoi studimet teologjike dhe vijoi veprimtarinë në Belgjikë, Angli, Irlandë dhe në revistën “La Civilità Cattolica” (Romë). Kthehet në Shkodër më 1924. Prej vitit 1926 deri më 1941 kreu misione shëtitëse fetare në zonat më të thella malore të Veriut, pa ndërprerë punën shkencore e publicistike. Artikulli i tij L’Albania nella storia e nella vita ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitivo ["Shqipëria në histori dhe në jetëose vështrim panoramik i një bote të vogël primitive"], botuar në “Rivista d’Albania” (vj. 2, fasc. 1, mars 1941), në të cilin reflektoi interpretime të pasakta për shqiptarët, ngjalli polemika të rrepta në opinionin intelektual e arsimor të Shkodrës, të cilat u pasqyruan në shtypin periodik dhe në botime të veçanta. Me këtë rast jezuitët e larguan nga Shqipëria.
Kultura shqiptare i njeh meritën për një varg studimesh e punimesh mbi krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, gjuhës dhe letërsisë shqipe. Epopeja kombëtare e popullit shqiptar (Shkodër, 1925), Geografia ecclesiastica dell’Albania dagli ultimi decenni del secolo XVI alla mettà del secolo XVII ["Gjeografia kishtare edhjetëvjeçarit të fundit të shek. XVI deri në gjysmën e shek. XVII"](1934), Saggio di un regesto storico dell’ Albania ["Studim rreth një regjistri historik të Shqipërisë"] (Shkodër, 1937-1940) së bashku me Z. Valentinin, vepra trivëllimëshe L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande missionario italiano, il Domenico Pasi S. I (1847-1914) ["Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të një misionari italian, P. Dedë Pasit"](Romë, 1933-34), Catasto Veneto di Scutari e Registrum Concessionum 1416-1417 ["Kadastra veneciane e Shkodrës dhe regjistri i pasurive 1416-1417"],në dy vëllime (Shkodër, 1940; Romë, 1942), Vasha n’epopen kombtare të popullit shqyptar: Tringa e Malcis. (Shkodër, 1939) janë disa prej veprave më të njohura të albanologut. Po t’u shtosh edhe kontributin në fushën e gramatikës dhe fjalorëve gjuhësorë si: Lingua Albanese (dialetto ghego) (Grammatica – saggi di letteratura, fraseologia e proverbi) (Milano, 1931), Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese. (Il nuovo “Jungg”). Parte albanese-italiana. (Milano, 1934), Dizionario italiano-albanese e albanese-italiano. Parte italiano-albanese. (Shkodër, 1938) etj., plotësohet më tej portreti i tij shkencor. (M. Gj.)

 

Vincenzo Maria CORONELLI (1650-1718)

Coronelli është hartografi më i njohur italian i shekullit XVII. Lindi në Venecia. U doktorua në teologji në Collegium Santo Bonaventura, Romë 1673. Ndonëse i angazhuar me ushtrimin e detyrimeve të përditshme të klerikut, pasioni për përpilimin e hartave dhe të globeve gjeografikë mbeti angazhimi më gjurmëlënës.
Mes viteve 1681-1683 punoi në Paris për përgatitjen e globeve gjeografikë, mes tyre ai me diametër prej 3.85 m. kushtuar Luigjit XIV, i cili ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës. Mbasi u kthye në Venedik u emërua kozmograf zyrtar i Republikës dhe themeloi Akademinë Kozmografike të Argonautëve. Veprat e tij kryesore janë Morea, Negroponte & Adiacenze (1686); Ritratti del celebri Personaggi (1697); Lo Specchio del Mare (1698); Atlante Veneto (1691-1696); Roma antico-moderna (1716); Singolarità di Venezia (1708-1710).
Është i njohur në përgatitjen e hartave regjionale. Hartat e tij, tipike për periudhën kur u përpiluan, janë të pajisura me piktura e vizatime dekorative në pjesët margjinale. Hartat në të cilat pasqyrohen edhe trojet shqiptare, veçanërisht ato të Veriut, janë botuar në veprën 12-vëllimëshe Atlante Veneto... (1691-1696). Elementet gjeografike që përmbajnë hartat e Coronelli-t paraqiten me ngjyra të ndryshme, disa prej të cilave përdoren edhe në përmbajtjen e hartave të sotme. Nga autori janë shfrytëzuar të dhënat e nxjerra nga ekspeditat personale, si dhe ato të gjeografëve dhe hartografëve paraardhës. Janë të pajisura me shënime historike, topografike etj., për objekte sociale e kulti dhe elemente të tjerë me rëndësi për formimin e një tabloje të përafërt për objektet e kohës. Bregdeti verior i Shqipërisë pasqyrohet në harta të këtij botimi, për t’u ulur më në jug me Sazanin dhe Pargën. Edhe Kosova, me shtrirjen e saj territoriale dhe të dhënat e saj topografike, gjeografike dhe historike mbetet e pranishme në hartat e Coronelli-t. Në hartën e parë të përmasave të mëdha për Kosovën të titulluar Corso del Danubio da Vienna sino a Nikopoli, paesi adiacenti, ajo identifikohet me emrin Iliricum. Harta përafrohet me vitin 1688 dhe ndodhet në atlasin e përmendur. Kjo hartë paraqet përpjekjen më të hershme të autorit në hartografimin e brendësisë së Europës Juglindore. Më pas hartoi një hartë të së njëjtës shtrirje me një konceptim më real. Në fondin e botimeve albanologjike vepra të Coronelli-t janë edhe Memorie istoriogeografiche della Morea riacqvistata dall’armi Venete, del Regno di Negroponte e degli altri luoghi circonuicini, e di quelli c’hanno sottomesso nella Dalmazia,e nell Epiro. ...  ["Kujtime historike për Mbretërinë e Moresë së pushtuar nga ushtritë venedikase, për Mbretërinë e Negropontitdhe për vende të tjera..."] (Venedik, 1687), botuar po atë vit edhe në gjermanisht dhe ribotuar me disa ndryshime një vit më pas, si dhe Città, Fortezze, ed altri Luoghi principali Dell’Albania, Epiro, e Livadia, E particolarmente i posseduti da Veneti ["Qytete, fortesa dhe vende të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, të Epirit dhe të Livadisë, e veçanërisht ato nën zotërimin e Venedikut"] (pa vit botimi), ku në hartën gjeografike “Golfo di Venezia” përfshihet Shqipëria e Veriut. Në vëllim gjejmë një përshkrim historiko-gjeografik të Korfuzit dhe bregdetit të Epirit, të qyteteve të Prevezës dhe Gumenicës, si edhe të kryepeshkopatës së Tivarit gjatë luftrave turko-venedikase.
Një hartë e tij e Arbërisë, e cila për cilësitë e veçanta, është bërë objekt i një vepre të rëndësishme historiografike: Ermanno Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi vari di un'antica carta dell'Albania Settentrionale ["Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore"] (botuar edhe në shqip më 2006). (M. Gj.)

 

Jules-Alexandre-Theodore DEGRAND (1844-1911)

            Diplomati francez, veç Buenos Airesit, Rio de Zhaneiros, Amsterdamit, Bukureshtit, etj., rreth katër vjet i kaloi edhe si konsull në Shkodër. Rrethanat dhe interesat shkencore e kërkuan edhe në vise të tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme. Vizitoi, gjurmoi, kërkoi e regjistroi shumë ngjarje e dukuri, doke e zakone, të cilat i gjejmë në veprën e tij Souvenirs de la Haute-Albanie ["Kujtime nga Shqipëria e Epërme"] (1901), botuar para pak vitesh edhe shqip. Gjatë gjithë veprës spikat ideja se njohja e një vendi dhe një populli e ka të domosdoshme të qëndrosh gjatë tek ata. Me aq sa i lejuan mundësitë dhe rrethanat, pa dhe shkroi, shpesh edhe me detaje, mbi kushtet dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve, përbërjen sociale dhe rrethanat politike, zakonet e traditat. Përshkroi krahinat e Shkodrës, Mirditës, Lezhën, Durrësin dhe Tiranën. Sjell njoftime mbi inventarin arkeologjik dhe antropologjik të varreve të Komanit. Gjetjet u bënë zanafillë për studimin e "kulturës së Komanit", kulturë e hershme arbërore që lulëzoi në Shqipërinë veriore dhe të mesme në shekujt VI-VIII. Gjetjet dhe përshkrimet e e tij janë të pranishme në bibliografinë e studiuesve të albanologjisë, që nga E. Th. Hamy, Th. Ippen, S. Anamali etj., të cilët studiuan vijimësinë e kulturës iliro-arbërore. (M. Gj.)

 

Jacob Philipp FALLMERAYER (1790 - 1861)

Historian, bizantinist, publicist, anëtar i Akademisë së Shkencave të Bavarisë. Studioi teologjinë dhe filozofinë në Universitetin e Salzburgut (Austri). Por prirjet e tij e drejtuan drejt historisë dhe gjuhëve semitike. Jeta dhe interesat profesionale e shkencore u luhatën edhe mes karrierës ushtarake e arsimore. Udhëtoi në vendet e Lindjes, Turqi, Maqedoni dhe Greqi ku ra në kontakt me popullsinë arbëreshe. Më 1822 filloi të merrej me historinë e Trapezundës, duke e kurorëzuar me veprën e parë Geschichte des Kaiserthums Trapezunt ["Histori e Perandorisë së Trapezundës"]. (Munih, 1827, ribot. 1848, 1990). Kjo vepër edhe sot mbetet bazë për historinë e mbretërimit të Komnenëve. Tezën e shtruar që në këtë vepër se “kombi i famshëm i helenëve është zhdukur nga radhët e popujve dhe është zhytur në errësirë...” e zhvilloi më tej në veprën Geschichte der Halbinsel Morea während desMittelalter.  2 vol. ["Historia e gadishullit të Moresë gjatë mesjetës"]. (Stuttgart, 1830–1836, ribot. 1965). Hedh idenë se grekët e sotëm janë një popullsi e përzier sllavësh, me element të dytë shqiptarët. Gjatë qëndrimit disavjeçar në Greqi, bindet për vërtetësinë e tezave të tij, veçanërisht për karakterin shqiptar të popullsisë së krahinave të gjera të Beotisë dhe Atikës. Në vëllimin e dytë (1836) thekson se revolucioni grek për pavarësi 1828-29 ishte “një revolucion krejtësisht shqiptar”. Pas një veprimtarie publicistike në vitet 1839-40 në Greqi, Stamboll etj. botoi të famshmet “Fragmente”, Fragmente aus dem Orient (Stuttgart, 1845). Mes viteve 1857-61 botoi veprën e tij më të rëndësishme për shqiptarët e Greqisë Das albanesische Element in Griechenland, (iii. parts). Në këtë vepër kritikon vëllimin e N. G. Nikoklīs Peri tīs aftochthonias tōn Alvanōn ītoi skipitar. Pragmateia istorikofilologikī ["Mbi autoktoninë e albanëve, d.m.th. shqiptarëve. Prejardhja dhe fisi"] (Gottingen, 1855), duke mbrojtur autoktoninë e shqiptarëve. Në veprat e Fallmerayer-it gjenden të bashkuara ngushtë njohuritë e thella me talentin e shkrimtarit; ato shquhen për sintezën historike. (M. Gj.)

 

Giuseppe FERRARI (1913 - 1990)

Studiues arbëresh, klerik. Lindi në Frascineto (Frashnitë) në Kozenca. Janë të njohura kontributet e G. Ferrari-t, albanologut të njohur arbëresh, në studimet shqiptare. Pati kontribut shkencor me spektër të gjerë rreth folklorit, gjuhës dhe historisë së letërsisë shqipe. Profesorit të teologjisë orientale iu besua katedra e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Universitetin e Barit. Realizoi një varg punimesh shkencore si: Documenti di storia e letteratura albanese ["Dokumente të historisë dhe letërsisë shqipe"](1957), Canti albanesi raccolta di Michele Bellusci del '600 ["Këngë arbëreshe mbledhur nga Mikel Belushi në '600"] (1963). Studiuesi arbëresh Francesco Solano provoi se autor i dorëshkrimit është Jeronim De Rada dhe jo M. Bellusci. Pasohen nga: Giulio Variboba e la sua opera poetica albanese ["Jul Variboba dhe vepra e tij poetike shqipe"], Grammatica Albanese, Parte I, Fonetica, Morfologia ["Gramatika shqipe. Pjesa I, Fonetika, Morfologjia"](1971), Storia della letteratura albanese dagli inizi al 1700 ["Historia e letërsisë shqipe nga fillimet deri më 1700"](1978). Ka meritë të veçantë në zbulimin dhe vënien në qarkullim shkencor të mjaft këngëve të vjetra të arbëreshëve të Italisë. Jashtë vemendjes nuk mbetën studimet mbi liturgjinë në gjuhën shqipe dhe mbi muzikën liturgjike. Më 1978 botoi La Chiesa Ortodossa Albanese ["Kisha Ortodokse Shqiptare"] (Palermo, 1978). Në studimin L'Albania e la musica liturgica bizantina ["Shqipëria dhe muzika liturgjike bizantine"] (Palermo, 1978) trajtoi shtrirjen e saj te arbëreshët e Italisë dhe krijimtarinë muzikore të kompozitorit Jan Kukuzeli. (M. Gj.)

 

Bogdan Petriceicu HAŞDEU (1838-1907)

Filolog, historian dhe shkrimtar, anëtar i Akademisë Rumune. Lindi në Besarabinë veriore nga një familje bojare moldave. Kontribuoi në historiografinë rumune përmes dy publikimeve: Archiva istorica a Romaniei dhe Istoria critica a romanilor, ku studimet në fushën e historisë lidhen organikisht me ato në fushën e të drejtës dhe jetës zakonore.
Më 1876 u emërua drejtor i Arkivit të Shtetit. Në këtë kohë iu përkushtua hulumtimeve gjuhësore dhe  mbledhjes së teksteve të gjuhës së përditshme dhe librave popullorë. Cuvente din batrani = Tekste të rumanishtes së vjetër, 3 vëllime, 1878–1881 dhe fjalori mitologjik që ka mbetur i papërfunduar Etymologicum Magnum Romaniae. Dicţionarumlimbei istorice a românilor (4 vëllime, 1886–1898, bot. 1970), janë disa prej veprave më të njohura. Ishte sllavisti i parë i cili u mor me studime gjuhësore krahasuese indoeuropiane. U shqua edhe si shkrimtar.
Një pjesë të veprimtarisë shkencore, arsimore dhe shoqërore e lidhi me Shqipërinë, veçanërisht me komunitetin shqiptar të Bukureshtit. Më 1892, me çeljen e Shkollës Normale shqiptaro-rumune në Bukuresht, Haşdeu ishte drejtues shkencor dhe pedagogjik. Është edhe meritë e këmbënguljes së tij leja e qeverisë rumune për ngritjen e këtij institucioni. Në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Rumanisë ruhet në dorëshkrim vepra e tij Gramatica limbii albaneze ["Gramatikë e gjuhës shqipe"]. e cila mendohet se është hartuar për qëllime shkollore rreth vitit 1892. Mbrojti bindjen që  kushdo që do të merret me studimin e zanafillës dhe të formimit të gjuhës rumune është patjetër i detyruar të njohë shqipen. (M. Gj.)

 

Margaret HASLUCK (1885 – 1948)

Skocezja Margaret Masson Hardie Hasluck, folkloriste, gjeografe, linguiste, epigrafiste dhe arkeologe, studioi në Akademinë e Elginit dhe Universitetin e Aberdinit. Për të kompletuar studimet klasike punoi në Universitetin e Kembrixhit gjatë viteve 1907 – 1911.
Pas përfundimit të studimeve u emërua në Shkollën Britanike në Athinë, ku më 1912 u martua me studiuesin Frederick W. Hasluck. Vijuan të punonin në Athinë deri në vitin 1916. Pas vdekjes së bashkëshortit më 1920 u kthye në Angli. Më pas udhëtoi shumë dhe qëndroi edhe në Shqipëri për trembëdhjetë vjet, deri më 1939, veçanërisht në zonat malore të Veriut, ku jetoi me vendasit dhe u lidh ngushtë me ta.
Ka një bibliografi të pasur të punimeve shkencore; ndër to: Christian Survivals among Certain Moslem Subjects of Greece (1924); An Unknown Turkish Shrine in Western Macedonia (1929); Measurements of Macedonian Men (1929).
Vepra e saj qendrore The unwritten law in Albania ["Ligji i pashkruar shqiptar"], rezultat i kërkimeve të gjata dhe serioze, u përfundua nga të tjerë studiues më 1954, gjashtë vjet pas vdekjes së autores. Mbetet ky një nga punimet më të rëndësishëm mbi të drejtën zakonore të shqiptarëve, vepër së cilës i referohen, pa përjashtim të gjithë studiuesit e kësaj fushe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky libër u botua edhe në shqip.
Me shqiptarët lidhen edhe veprat: The Nonconformist Moslems of Albania ["Muslimanët jokonformistë të Shqipërisë"] (1925), Këndime Englisht-Shqip or Albanian-English Reader: Sixteen Albanian Folk-Stories Collected and Translated, with Two Grammars and Vocabularies (1932), me përralla popullore shqiptare të treguara drejtpërdrejtë nga fëmijë elbasanas; Physiological Paternity and Belated Birth in Albania ["Atësia fiziologjike dhe lindja e vonë te shqiptarët"] (1932); Bride-Price in Albania: a Homeric Parallel ["Blerja e gruas në Shqipëri: një paralele homerike"] (1933); artikulli i gjatë The Gypsies of Albania ["Romët e Shqipërisë"] (1938), mbi mënyrën e jetesës dhe zakonet e romëve në Shqipëri. 
U kujdes për redaktimin dhe botimin e veprave të rëndësishme të bashkëshortit të saj: Athos and its Monasteries ["Mali Atos dhe manastirët e tij"] (1924); Letters on Religion and Folklore ["Letra mbi fenë dhe folklorin"] (1926) dhe Christianity and Islam under the Sultans ["Krishterimi dhe Islami nën sulltanët"] (1929), studime me mjaft rëndësi edhe për etnologjinë dhe jetën shpirtërore e religjioze të shqiptarëve. (M. Gj.)

 

Hyacinthe HECQUARD (1814 - 1866)

Hecquard është një tjetër konsull francez, i cili disa vjet (1853-1859) i kaloi në Shkodër. Lindi në qytetin Lisieux. Pas një karriere relativisht të gjatë ushtarake iu kushtua diplomacisë. Shkodra ishte qyteti i parë ku e ushtroi. Krahas saj studioi vendin dhe banorët, madje përshkoi gjithë pashallëkun duke udhëtuar pothuaj në gjithë qytetet e fshatrat e Veriut. U takua me shumë persona, pa dhe njohu jetën e përditshme dhe atë ceremoniale, ndoqi zakonet e vendit dhe larminë e tyre, mënyrën e jetesës dhe gjendjen ekonomike, rrethanat dhe zhvillimet  politike. Të gjitha këto i la në veprën e njohur e vëllimore Histoire et description de la Haute Albanie ou Guegarie [Histori dhe përshkrim i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë] (1858, shqip 2008), ku gjejmë të dhëna me interes për gjeografinë, historinë, kulturën popullore, për doket e zakonet, fenë dhe institucionet fetare që nga Kavaja dhe Elbasani, deri në Ulqin e Tivar në veri, nga malet e Mirditës në ato të  Shkrelit, Shalës e Shoshit deri në fushën e Ultësirës Shkodrane. Vepra u ribotua edhe më 1881 në Paris. Opinioni shkencor më parë ishte njohur me dy punimet e Hecquard-it: Les Wassoevitchs, tribu habitant la Haute Albanie ["Vasojeviçët, fis që banon në Shqipërinë e Epërme"] botuar në Revue Orientale (1855) dhe Géographie générale du pachalik de Scutari ["Gjeografi e përgjithshme e pashallëkut të Shkodrës"], botuar në librin e Victor Adolph Malte-Brun, Nouvelles annales des voyages de la géographie, de l’histoire et de l’archéologie (1858), vepër ku qenë përmbledhur edhe studime të tjera mbi shqiptarët. (M. Gj.)

 

Nicolae IORGA (1871 - 1940)

Personalitet i letrave dhe veprimtar politik e shtetar, deri kryeministër i Rumanisë. Lindi në Botoshan të Moldavisë Veriore. Mbasi kreu studimet e larta në Paris u doktorua pranë Universitetit të Lajpcigut. Më 1894 emërohet profesor në Universitetin e Bukureshtit. Njëherazi zhvilloi veprimtari të dendur letrare, artistike, arkivistike e, mbi të gjitha, historiografike. Thuajse nuk mbeti degë e letërsisë dhe historisë pa u lëvruar nga Iorga. Është autor i mbi 40 dramave me tematikë nga historia e Rumanisë, vëllimeve me përshtypje udhëtimi, kritika letrare etj. Në bibliografinë kolosale të Iorg-as numërohen mbi 1000 vepra, 12755 artikuj, 4963 raporte etj. Vend të veçantë zënë vëllimet për historinë e Rumanisë që nga lashtësia, historia e letërsisë dhe arteve e të tjera vepra ku ndërthuren edhe pjesë të historisë së popujve ballkanikë dhe shqiptarëve. Por gjeografia e studimeve të Iorgës është shumë më e gjerë. Prej disa vëllimesh është vepra e tij mbi historinë e kryqëzatave europiane: Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV-e siècle I - VI (Paris - Bucuresti, 1899-1916), e radhitur mes veprave të tjera mbi historinë e Bizantit, Venedikut, Europës mesjetare, Perandorisë Osmane, popullit francez, madje edhe një historie botërore prej katër vëllimesh.
Shqipërisë i kushtoi disa punime si: Breve histoire de l’Albanie et du peuple albanais ["Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar"] (Bukuresht, 1919),  botuar shqip më 2004, Lettres de Dora d’Istria ["Letra të Dora d'istrias"], botuar në Revue historique du Sud-Est Européen, 1932, ku publikon letrat e studiueses shqiptare drejtuar një shkrimtari hungarez, drejtor i një reviste letrare, në vitet 1877-1887, në të cilat spikasin shqetësimet e rilindasve shqiptarë. Dokumenti më i vjetër i shqipes së shkruar që njihet deri më sot, Formula e Pagëzimit, e shkruar nga Pal Engjëlli më 8 nëntor 1462, u zbulua prej Iorga-s. E gjeti atë brenda një koleksioni në Bibliotekën Laurenciana të Firences dhe e botoi në vëllimin e katërt të librit mbi kryqëzatat (1915). Trashëgimia iliro-shqiptare në kulturën europiane, luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë janë disa nga temat e veprimtarisë studimore të Iorga-s.
Më 1940 u vra nga pjesëtarët e organizatës rumune të “Rojeve të Hekurta”. (M. Gj.)

 

Theodor Anton IPPEN (1861 – 1935)

Diplomat austriak dhe albanolog, njohës i mirë i rrethanave shqiptare. Ndoqi studimet universitare për orientalistikë në Akademinë e Vjenës
Qëndrimi i parë i Ipenit në Ballkan ishte Shkodra, qytet në të cilin gjatë vitit 1884 kreu funksionin e konsullit. Në vitin 1897 emërohet Konsull i përgjithshem i perandorisë austro-hungareze në Shkoder, funksion të cilin e kreu deri më 1904. E njohur është ndihmesa e tij për zhvillimin e arsimit shqip në krahinën e Shkodrës. Qëndrimin në Shqipëri e shfrytëzoi edhe për të kryer studime mbi vendin dhe popullin. Udhëtoi në zonat kufitare me Malin e Zi, te fiset malore të Kastratit, Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Shkrelit. Më 1897 kreu një udhëtim në Shqipërinë e Mesme, në Tiranë dhe Elbasan. Qe ndër hartuesit e memorandumit mbi formimin e një Shqipërie të pavarur. Skica e hartuar prej tij u përfshi në propozimin e Austrisë dhe Italisë. Përpjekjet e këtij politikani mbi Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) zënë vend në historinë shqiptare.
Ippen gjatë ushtrimit të aktivitetit si kryekonsull u mor dhe me historinë dhe letërsinë tonë kombëtare, u dha pas kërkimeve arkeologjike pranë rrënojave të kishave, manastireve, kuvendeve të hershme, por gjithashtu merrej edhe me studimin e etnografisë së popullit tonë. Alte Kirchen und Kirchenruinen in Albanien ["Kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri"]((Sarajevë, 1900, 1902); Skutari und die nordalbanische Küstenebene ["Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë së Veriut"] (Sarajevë, 1907); Denkmäler verschiedener Alterstufen in Albanien ["Monumente të periudhave të ndryshme në Shqipëri"] (Sarajevë, 1907) dhe Die Gebirge des Nordwestlichen Albaniens [Malësia e Shqipërisë Veriperëndimore](Vjenë, 1908), janë katër monografi të cilat së bashku janë botuar sqip në vëllimin Shqipëria e vjetër (Tiranë, 2002).
Në vitin 1916 u botuan studimet Die Landschaft Schpat im mittleren Albanian ["Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme"]; Beiträge zur inneren Geschichte Albaniens im 19.Jahrhundert ["Kontribute për historinë e brendshme të Shqipërisë në shekullin XIX"] (studim 40-faqesh botuar në Illyrisch-Albanische Forschungen, Bd. 1, München dhe Lajpcig, 1916). Si botimet më me rëndësi të Ippen-it njihen: Novibazar und Kosowo. Das alte Rascien [Novipazari dhe Kosova. Rasha e vjetër] (Vjenë, 1892), me përshtypje mbi gjeografinë, etnografinë apo politikën në formën e skicave.
Në studimet mbi etnologjinë shqiptare sjell të dhëna interesante mbi format e vendbanimeve, llojet e banesave shqiptare, doket, zakonet, mbi të drejten zakonore dhe besimet fetare të popullit shqiptar, gjeografinë, arkeologjinë, ekonominë etj. (M. Gj.)

 

Jan Urban JARNIK (1848 - 1923)

            Gjuhëtar çek, profesor i romanistikës në Universitetin e Pragës. Një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë e tij zuri edhe gjuha shqipe, çka e vendosi atë në radhën e themeluesve të albanologjisë. Takimet me shqiptarët e vunë së pari në kontakt me gjuhën tonë; letërkëmbimi me veprimtarët e njohur të shqipes si Kristoforidhi, Mitko, De Rada, Kamarda, Naim Frashëri i thelloi mendimin konstruktiv dhe i siguroi material të shkruar dhe folklorik. Zur Albanischen Sprachenkunde ["Për njohjen e gjuhës shqipe"] (1881), Příspěvky ku poznání nářečí albánských ["Kontribut për njohjen e dialekteve të shqipes"] (1883), Albanesische Märchen und Schwänke ["Përralla dhe anekdota shqiptare"] (1890), janë disa nga veprat e Jarnik-ut. Në arkivat personale ruajti edhe dorëshkrimin e Bletës së vogël të Thimi Mitkos. Jarnik botoi së pari vjershën e njohur të Pashko Vasës "O moj Shqypni" në Zur albanesische Sprachenkunde, Lajpcig, 1881. Poezia më parë pati qarkulluar si fletë volante dhe u bë shumë e përhapur nën ritmet marciale të një melodie të kompozitorit rus Rimskij - Korsakov. (M. Gj.)

 

Giacomo JUNGG (1837-1899)

Giacomo Jungg, që shqiptarët e thirrën Jak Junku lindi në qytetin e Trentos në Italinë veriore. Në Shkodër mbërriti më 1861 me misionin e mësuesisë në Kolegjin Saverian. Më 1864 u kthye në Itali për të përfunduar studimet teologjike. Mbas pesë vjetësh kthehet në Shqipëri për të jetuar e punuar edhe 30 vjet të tjerë, deri në fund të jetës. Studimi i veprave të autorëve të vjetër shqiptarë dhe mbledhja e lëndës së pasur gjuhësore në krahinat, ku veproi si misionar dhe studiues, i dhanë bazën për hartimin e Elementeve gramatikore të gjuhës shqipe=Elementi grammaticali della lingua albanese (Shkodër, 1881), si tekst për përdorim në Kolegj. Por vepra më e shquar e Jungut mbetet Fialuur i voghel sccyp e ltinisct (Shkodër, 1895). Përbëhet prej 12 mijë fjalësh për mbledhjen e të cilave punoi 11 vjet. Me shtesa fjalori u ribotua nga Cordignano më 1934 (Il nuovo Jungg). Pena e Jungg-ut u shfaq edhe në vepra të tjera përmes shqipërimeve të katekizmave, krijimeve letraro-teologjike si Kulscedra e scpirtit zblue t’riive (1887), Hazna e Kongreghazionliive t’Zois Bekuume (1888), Vakinat e t’sckruemit sceit (1898) etj.
Vepra të tilla patën meritën se sollën për besimtarët dhe nxënësit shqiptarë letërsinë përkatëse, tashmë në gjuhën shqipe. Jungg-u është themelues i revistës Elçija (Lajmtari) i zemers së Krishtit (Shkodër, 1891), e para revistë shqipe e botuar në Shqipëri. E drejtoi atë për katër vjet (1891-1894) dhe deri sa jetoi ishte i pranishëm pa ndërprerje në faqet e saj. Mbetet i pari misionar dhe albanolog i huaj për të cilin u shkrua një libër shqip menjëherë pas vdekjes: Diftime t’shkurta permi jet P. Jak Jungg-ut S. J. (Shkodër, 1907). (M. Gj.)

 

Süleyman KŰLÇE (1884 - 1955)

            Albanologu turk Süleyman Külçe (Kylçe) me origjinë nga krahina e Lumës, prej fisit Qylqe, i biri i Rushit Pushkatarit, lindi në Shkup. Mbasi kreu Akademinë Ushtarake të Stambollit u emërua oficer pranë Forcave Këmbësore të Rumelisë në Shqipërinë Veriore. Ushtroi edhe mësuesinë në Shkup e Izmir. Më pas ushtroi detyra administrative në disa krahina të Turqisë.
Iu kushtua që herët me veprimtari studimore fushës së albano-balkanologjisë si dhe krijimtari letrare, por filloi të botojë në moshën 60-vjeçare. Disa nga veprat e njohura të Külçe-s janë: Osmanli Tarihinde Arnavutluk ["Shqipëria në kohën e Turqisë"] (Izmir, 1944); Firzovik Toplantisi ve Mesrutiyet ["Kuvendi i Ferizajt dhe Kushtetuta Turke"] (Izmir, 1944). Të dy veprat janë shqipëruar. Koçibey Risalesi ["Libërza e Koçibeut"] (Izmir, 1949) përmban 21 letra-këshilla të Koçi beut, shqiptar nga  prejardhja, drejtuar Sulltan Muratit IV. Vepra është përkthyer në njëzet gjuhë. Mareşal Fevzi Çakmak in Hayati ve Eserleri ["Jetëshkrimi i Mareshal Fevzi Çakmakut"] në dy vëllime (1950), që i kushtohet oficerit madhor turk, mik i Mustafa Qemalit, trajton edhe ngjarje e probleme shqiptare të viteve 1900-1918.
Veprat e Külçe-s, duke qenë të mbështetura gjerësisht në dokumentacion origjinal, marrin rëndësi të veçantë për historiografinë albanologjike. (M. Gj.)

 

Marco LA PIANA (1883 - 1958)

Dijetari arbëresh punoi gjysëm shekulli në fushën e gjuhësisë shqipe. Bashkëpunëtor i rregullt në fletoret "Roma e l'Oriente", "La nazione albanese", "La Rassegna Italo-Albanese" etj., me artikuj e studime trajtoi probleme të fonetikës, leksikologjisë e morfologjisë historike të shqipes dhe lidhjeve të saj me gjuhët e tjera. Botoi për herë të parë E mbsvame e Chræsterae (1592) të Lekë Matrangës: Il Catechismo albanese di Luca Matranga (1592) da un manoscritto Vaticano (Grottaferrata, 1912). Veprën e shoqëroi me një studim hyrës, shënime dhe komente gjuhësore.
Realizoi disa studime gramatikore nga të cilat botoi: dy veprat Studime gjuhësore shqiptare (Studi linguistici albanesi. I dhe II. (Palermo, 1939 dhe 1949) me vrojtime të reja rreth çështjeve të morfologjisë historike, të cilat shënojnë përparim në lëmin e studimeve shqiptare, tre tekste shkollorë për gjuhën shqipe: Brevi nozioni di grammatica albanese = Mesime të shkúrtë të grammatikës shqŷpe (Vlorë, 1917-1918) për arsimin fillor. Intorno al riflesso della vocale "O" lunga dall' Indoeuropeo e dal Latino nell' Albanese ["Rreth reflektimit të zanores "O" të gjatë nga indoeuropianishtja dhe latinishtja në shqipe"] (Palermo, 1937). (M. Gj.)

 

Maximilian LAMBERTZ (1882 - 1963)

Opinioni shkencor e përcakton si figurën e fundit të plejadës së dijetarëve që themeluan dhe ngritën albanologjinë si shkencë. Në vendlindje, Vjenë, studioi gjuhësinë krahasuese, filologjinë klasike dhe arkeologjinë. 
Sapo hidhte hapat e parë shteti i pavarur shqiptar, erdhi në vendin tonë. Burimin për studimin e shqipes dhe jetës shpirtërore të shqiptarëve e gjeti te vepra e Fishtës, kënga popullore, epika e maleve. Te fletorja Posta e Shqypnis botoi punimin e parë albanologjik  Die Volkspoesie der Albaner ["Poezia popullore e shqiptarëve"]. Shtyllat e kësaj fletoreje u bënë gjatë viteve 1917-1918 arenë e pikëpamjeve dhe studimeve të tij rreth poezisë kreshnike; njëkohësisht shënohet edhe fillimi i hulumtimit sistematik të kësaj dege. Visari i këngës popullore të mbledhur nga Donat Kurti dhe Bernardin Palaj i siguroi lëndën për studimin monografik Die Volksepik der Albaner ["Epika popullore shqiptare"] (1958) që sjell një përshkrim të ngjeshur të epikës popullore, motiveve dhe stilit të saj.
Die Laute des Hochlandes (1950), përkthimi gjermanisht i Lahutës së Malcis, bëri që bota shkencore të njihet me visaret e letërsisë shqipe. Një vit më parë (1949) përmes introduktës Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos “Lahuta e Malcis” : Eine Einfuhrung in die albanische Sagenwelt ["Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar "Lahuta e Malcis". Një hyrje në botën e legjendave shqiptare"] e kishte paralajmëruar bashkë me “Lahutën” edhe botën e legjendave shqiptare plot me “lugetër, kuçedra, floçka, lubi, dragonj, orë e zana”. Veprat Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde ["Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të folklorit shqiptar"] (1922), Albanien erzhält ["Shqipëria rrëfen"] (1956), përbëjnë një kontribut tjetër në shkencat albanologjike dhe njohjen e auditorit gjerman me pasurinë e krijimtarisë folklorike të shqiptarëve.  
Ndihmesa e Lambertz-it është e njohur edhe në fushën e gjuhësisë. Studimet e monografitë për dialektet e shqipes këndej e përtej Adriatikut, pasohen me përkthimin dhe analizën e Gjella e Shën Mërisë të Varibobës, prihen e pasohen edhe me tekste shkollore e vepra të tjera që e rendisin në majat e albanologjisë. Në BKSh, veç veprave, ruhen edhe dorëshkrime (daktiloshkrime) të tij etj. (M. Gj.)

 

William Martin LEAKE (1777 – 1860)

William Martin Leake, historian, numizmat e antikuarist, gjuhëtar e topograf, përfaqësues politik i Anglisë pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës, ishte ndër udhëtarët e parë anglezë që vizitoi dhe la punime për Shqipërinë. Përshkroi me hollësi të gjitha viset shqiptare që nga Preveza, Arta, Janina, Çamëria, Filati, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Vlora etj. Këto udhëtime ishin në vijim të atyre që kish bërë vite më parë në Inditë Perëndimore, Egjipt, Azinë e Vogël, Greqi etj. për të cilat la librat Topography of Athens [Topografia e Athinës] (1821); Journal of a Tour in Asia Minor [Ditar rreth një udhëtimi në Azinë e Vogël] (1824); Travels in the Morea (1830), and a supplement, Peloponnesiaca ["Udhëtim në More, me një suplement për Peloponezin"] (1846); Numismata Hellenica (1854), followed by a supplement in 1859 ["Numizmatika greke"]. Në veprën Travels in Northern Greece ["Udhëtim në Greqinë e Veriut"] (1835), në 4 vëllime, si studiues i vëmendshëm jep informacion të bollshëm e të hollësishëm për shumë dukuri me spektër të gjerë tematik. Vepra Researches in Greece (1814) ["Kërkime në Greqi"], pavarësisht prurjes së shumë njoftimeve me karakter ekonomik, politik, topografik etj., mbetet një vepër e mirëfilltë gjuhësore me studime për greqishten dhe shqipen dhe për vëzhgimet historike për arumanishten dhe bullgarishten. Veç tjerash, në këtë vepër botoi një “Gramatikë të gjuhës shqipe”, në të vërtetë një “Skicë gramatikore” siç e quan edhe vetë,  me shënime për shqipen, një “Fjalor greqisht – anglisht – shqip”, si dhe ribotoi Fjalorin greqisht - shqip - vllahisht – bullgarisht të Dhanil Voskopojarit, duke i shtuar edhe anglishten. Në historinë e studimit të shqipes është i pari albanolog që shprehu mendime me vlerë për huazimet greke, latine, gote, sllave, frënge, italiane dhe turke të gjuhës shqipe. (M. Gj.)

 

Émile LEGRAND (1841 - 1903)

            Filologu Émile Legrand lindi në Fontenay-le-Marmion (Francë). Autori i mbi 40 veprave kontributin themelor e dha në fushën e helenistikës me Grammaire grecque moderne (1878), Collection de monuments pour servir à l'étude de la langue néo-hellénique (1868-1873), Bibliographie hellénique ou description raisonnée des ouvrages publiés par des grecs aux XVIIe et XVIIIe siècles (1894-1928) etj. Albanologjia shqiptare sheh te Legrandi bibliografin e shquar. Në veprën Bibliographie albanaise ["Bibliografi shqiptare"], botuar me shtesat e H. Gûys më 1912. 724 zërat e kësaj bibliografie, fryt i një kërkimi 15-vjeçar, sjellin të dhëna me mjaft interes rreth botimeve shqiptare dhe për Shqipërinë. Plotësimet e mëpasme nga Mithat Frashëri në revistën e mirënjohur "Dituria", në rubrikën "Shtim ne radhoj i Legrandit", i shtyjnë më tej burimet bibliografike. Ndihmesë sjell Legrand mbi botimet shqipe edhe me Bibliographie hellénique… dhe Bibliographie ionienne". Shtypi shqiptar i atyre viteve disa herë e përkujtoi bibliografin e shquar. (M. Gj.)

 

Angelo LEOTTI (1884 - 1963)

Pesëdhjetë vjet i kushtoi gjuhës shqipe albanologu italian. Ndonëse u doktorua në jurisprudencë, prirja e drejtoi te linguistika. Grammatica elementare della lingua albanese (dialetto tosco) ["Gramatikë elementare e gjuhës shqip (dialekti toskë)"](1915) dhe L’Albanese parlato : cenni grammaticali : Vocabolario albanese - italiano e italiano - albanese (dialetto ghego) ["Shqipja e folur: shënime gramatikore: fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip (dialekti gegë)"] (1916) ishin dy veprat që e renditën Leotti-n ndër njohësit më të mirë të shqipes dhe që ndikuan të ngarkohej me mësimin e shqipes në Fakultetin e Letrave të Universitetit të Firences. Por kryevepra e tij qe padyshim Dizionario albanese - italiano ["Fjalor shqip-italisht"](1937), me parathënie të Norbert Joklit. 1710 faqet e Fjalorit përmbledhin rreth 30 mijë zëra me 2500 proverba e idioma. E vlerësuan Fjalorin, e, përgjithësisht veprën e Leotti-t edhe Pederseni, Trombetti, Giuglio Bertoni, Emilio Pavolini, Bottiglioni, Çabej etj., ndonëse nuk munguan të shënojnë edhe ndonjë të metë, veçanërisht për drejtshkrimin, i cili herë-herë çalon, arsyetuar kjo me faktin se një i huaj ndodh që të mos i hyjë në çdo rast thelbit të fjalës apo frazës. (M. Gj.)

 

Franz NOPCSA (1877 - 1933)

U lind në Transilvani (Rumani) në një familje fisnike hungareze. Që kur studionte gjeologjinë në Unversitetin e Vjenës spikatën aftësitë e jashtëzakonshme për kërkime shkencore. Ishte ndër paleontologët më të shquar të botës shkencore, themelues i paleofiziologjisë. Disa herë dhe për kohë të gjatë erdhi në Shqipëri ku realizoi eksplorime intensive, të cilat i ndërpreu vetëm vetëvrasja më 25 prill 1933.
Janë rreth 25 studimet dhe veprat shkencore në fushën e etnologjisë, paleontologjisë, gjeografisë dhe gjeologjisë së Shqipërisë. Ndër më të spikaturat janë Aus Sala und Kelmenti ["Nga Shala dhe Kelmendi"](1910), “Albanien. Bauten, Trachten und Geräte Nordalbanien ["Shqipëria. Ndërtimet, veshjet, orenditë e Shqipërisë Veriore"] (1925). Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe ligji i dokeve (Kanuni) me mbi 600 faqe dhe Pikëpamjet fetare, doket dhe zakonet  mbetën në dorëshkrim. Geographie und Geologie Nordalbaniens ["Gjeografi dhe gjeologji e Shqipërisë Veriore"] (1929) një vepër prej 620 faqesh me harta e tabela shënon një nga veprat më të shquara të fushave përkatëse. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ruhen dorëshkrimet e disa ditarëve rrugëtimesh me mjaft interes të Nopcsa-s me titull: Albania. Notizbücher ["Shqipëria. Libër njoftimesh"]. Janë gjashtë vëllime të dorëshkruara me laps, në formë ditari të mbajtur mes viteve 1905-1913, me 200-600 faqe. Përmbajnë përshkrime dhe mbresa të autorit nga ekspeditat në Shqipërinë e Epërme. Janë thesar vëzhgimesh, shënimesh dhe njoftimesh të hollësishme gjeografike, gjeologjike, historike, etnologjike dhe demografike, shoqëruar me harta, skica dhe ilustrime të shumta.
Ajo që dallon dukshëm në veprën e albanologut të shquar është gjurmimi i tërësisë së dukurive të çdo fushe, në gjithë elementët përbërës, të cilat lidhen e ndikojnë reciprokisht te njëra-tjetra, madje në rrafsh horizontal në arealin ballkanik. (M. Gj.)

 

Holger PEDERSEN (1867 - 1953)

            Indoeuropianisti danez në moshën 26-vjeçare vizitoi Shqipërinë.  Siç duket, kjo ndikoi që edhe fillimet e veprimtarisë shkencore t'i ketë me shqipen. Më 1895 botoi Albanesische Texte mit Glossar ["Tekste shqipe me fjalor"], ku përmblidhen përralla dhe këngë popullore të pajisura me shënime të pasura gjuhësore. Me po aq vlera mbetet Zur albanesischen Volkskunde ["Mbi folklorin shqiptar"] (1898).
Objekt i hulumtimit rreth gjuhës shqipe u bënë edhe kategori të veçanta gramatikore, si: asnjanësi i shqipes, grykoret e saj etj. Prej një shekulli vepra dhe personaliteti i Pedersenit gjetën vend edhe në shtypin shqiptar. Pati një letërkëmbim të dendur me personalitete të jetës shkencore, shoqërore dhe politike shqiptare.
Një përmbledhje në dorëshkrim e letrave drejtuar Pedersenit nga Çabej, Konica, Dako, Mithat Frashëri, Nosi, Drizari etj., gendet në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. (M. Gj.)

 

François Charles Hugues Laurent POUQUEVILLE (1770 – 1838)

            Konsull i Francës në oborrin e Ali pashë Tepelenës në Janinë. Personalitet i njohur shkencor, me një veprimtari të gjerë politike e diplomatike, me kontribut në fushën e mjekësisë dhe shkencave natyrore, historisë dhe arkeologjisë, nuk kishte si të mos reflektonte edhe mbi vitet kur jetoi, kërkoi e punoi në viset shqiptare e më tej.
E para vepër ku zë vend Shqipëria dhe shqiptarët, ajo e titulluar Voyage en Moreé, à Constantinople, en Albanie, et dans plusieurs autres parties de l’Empire Othoman, pendant les années 1798, 1799, 1800 et 1801... ["Udhëtim në More, për në Kostandinopojë, në Shqipëri dhe në shumë pjesë të tjera të Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1798, 1799, 1800 dhe 1801..."],në tre vëllime, u botua më 1805 në Paris; po atë vit edhe gjermanisht në Lajpcig. Anglisht në Londër u botua një vit më pas, ndërsa italisht në Milano më 1816.
Veprat Voyage dans la Grèce ["Udhëtim në Greqi"] (Paris, 1820), në 5 vëllime me njoftime historike mbi Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Në këtë vepër botoi Kronikën e Gjirokastrës, të cilën e zbuloi gjatë qëndrimit në këtë qytet më 1806, duke sjellë edhe vërejtjet e tij mbi të. Edhe Histoire de la régéneration de la Grèce ["Historia e rigjallërimit të Greqisë"] (Paris, 1824), njohu disa ribotime në gjuhët kryesore të Europës, që në vitin e parë të publikimit. Pavarësisht disa qëndrimeve "kontradiktore" ndaj shqiptarëve dhe ndonjë konkluzioni të diskutueshëm, sjell të dhëna dhe përshkrime me shumë rëndësi, për vendbanimet shqiptare dhe shtrirjen e tyre në Greqinë e sotme, jetën dhe zhvillimet historike, politike, ekonomike e shpirtërore, rolin e shqiptarëve në marrëdhënie me fqinjët etj., të cilat edhe sot kanë vlera historiko-dokumentare. Megjithëse pati mjaft kontradikta politike me Ali pashë Tepelenën, në veprat e tij provoi përpjekjet e vezirit të Janinës për shkëputje nga Perandoria Osmane. (M. Gj.)

 

Karl Heinrich Theodor REINHOLD (1834 - 1880)

K. H. T. Reinhold, fizikan, gjurmues e mbledhës i folklorit, lindi në Göttingen (Gjermani). Ushtroi detyrën e mjekut dhe kryemjekut, mbi 30 vjet në flotën detare të shtetit grek, atëherë nën kujdestarinë e Bavarisë. Duke punuar e jetuar me marinarët arvanitas u dashurua mbas “gjuhës elegante të shokëve të anijes”. Mblodhi prej tyre materiale të konsiderueshme folklorike. Ndihmesë të veçantë për këtë i dha prifti i Porosit Vasil Saqellari. Për njohjen dhe studimin e veprës ndikoi edhe “fryma albanologjike”, e cila ato vite u bë e pranishme përmes veprës së Hahn, Bopp etj.
Më 1855 botoi veprën Noctes Pelasgicae vel sym-bolae ad cognoscendas dialectos Graeciae Pelasgicas collatae cura ... ["Netë pellazgjike ose kontribut për njohjen e dialekteve pellazgjike të Greqisë, mbledhur..."].(1855), që përbën vetëm një pjesë të atij thesari kulturor shqiptar që mblodhi albanologu.
Vepra, e ndarë në tri pjesë, përmban një skicë gramatikore, një vëllim leksikor, si edhe një numër tekstesh poetike në dialektin shqip të ishujve të Greqisë, Poros e Hydra.
Për të parën herë bota e kulturuar u bë me dije për shqipen e folur në Greqi dhe ishujt e saj.
Gustav Meyer arriti të sigurojë fletore dhe shënime të tjera të Reinhold-it të shkruara pas botimit të librit, mes viteve 1855 - 1857. Kjo lëndë i shërbeu si themel i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqip (1891). Një pjesë të mirë të kësaj trashëgimie të pabotuar e bëri të njohur në veprën e tij Studime shqiptare, v. 5 (1896). Vepra e plotë e titulluar Netët pellazgjike të Karl Reinholdit: tekste të vjetra shqipe të Greqisë: 1850-1860, e plotësuar dhe e pajisur me aparat të plotë shkencor është botuar shqip më 2005. (M. Gj.)

 

Mario ROQUES (1875 - 1961)

            Studimi i teksteve të vjetra shqipe gjeti te Mario Roques një gjurmues të mirënjohur. Ishte profesor në Shkollën e Gjuhëve të Gjalla Orientale në Universitetin e Parisit, ku për shumë vite dha mësimin e shqipes. Për gjysmë shekulli drejtoi revistën shkencore franceze “Romania”. Më 1926 në këtë organ botoi artikullin me titull Le plus ancien document de langue albanaise ["Dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe"], ku përshkruan Formulën e Pagëzimit. Po në këtë organ, disa muaj më vonë i rikthehet këtij dokumenti me artikullin Sur le plus ancien document de la langue albanaise ["mbi dokumentin më të vjetër të gjuhës shqipe"], tashmë mbi caqet e përshkrimit.
Një vit më pas parashtron iniciativën për botimin e teksteve të vjetra të shqipes së shkruar. Vetëm mbas pesë vjetësh, më 1932, arriti qëllimin e dëshiruar duke botuar Le dictionnaire albanais de 1635. Edité avec introduction et index complet. Tom. 1. : Dictionarium Latino-Epiroticum par R. D. Franciscum Blanchum  (Paris, 1932), “Fjalori latinisht-shqip” i Frang Bardhit, i pari fjalor i gjuhës shqipe. Vëllimi përbëhet nga një hyrje e gjatë prej 59 faqesh mbi familjen Bardhi, mbi ipeshkvinë e Sapës, mbi Frang Bardhin në bazë të dokumenteve të zbuluara në arkivat e Vatikanit. Më pas vijnë disa vërejtje mbi vetë fjalorin, i cili botohet në mënyrë fotomekanike më pas në 233 faqe me gjithë shtesat. Po atë vit botoi vëllimin Recherches sur les anciens textes albanais ["Gjurmime mbi tekstet e vjetra në gjuhën shqipe"] (Paris, 1932), ku jep përshkrimin e plotë të 17 botimeve dhe dorëshkrimeve më të para shqipe (1462-1710), disa të zbuluara prej tij, duke njohur botën shkencore me pasurinë e lashtë të shqipes së shkruar. Ndër to përmendim kërkimet mbi L. Matrangën, librin e të cilit e zbuloi në Bibliotekën e Vatikanit, tri vepra të Pjetër Budit që i zbuloi po në atë bibliotekë: Dottrina christiana ["Doktrina e krishterë"] (1618), Ritvale Romanvm.. ["Rituali roman"] (1621) dhe Pasech8ra etref8mit ["Pasqyra e të rrëfyemit"] (1621). Po në Recherches... gjenden dokumente arkivorë mbi Pjetër Mazrekun dhe "Fjalorin" e tij etj. (M. Gj.)

 

Francesco ROSSI DA MONTALTA (1814 - 1888)

            Misionari françeskan Francesco Rossi pati veprimtari të gjatë shkencore në fushën e gramatikës dhe leksiografisë shqipe në Itali dhe Shqipëri. Ushtroi misionin françeskan në vise të Kosovës për 13 vjet. Gjatë kësaj periudhe punoi për mësimin e shqipes. Edhe pas kthimit në kolegjin e Shën Pjetrit në Montorio (Romë), për 28 vjet të tjera, krahas mësimit të shqipes, punoi edhe për botimin e disa veprave që lidhen me të.
Më 1866 botoi në Romë Regole grammaticali della lingua albanese compilate sulle traccie di buoni grammatici e del P. Francesco M. da Lecce ["Rregulla gramatikore të gjuhës shqipe hartuar mbi gjurmët e gramatikave më të mira dhe të Françesko Maria da Leçes"]. Kjo vepër u përdor nga misionarët françeskanë që vinin në Shqipëri dhe nga nxënësit e shkollës Françeskane të Shkodrës. Por kjo gramatikë nuk arrin të përballojë me sukses kritikën shkencore, si të asaj bashkëkohëse, ashtu edhe asaj të sotme, sa për koncepte të pasakta gramatikore të autorit, ashtu edhe për mosnjohje të mirë të shqipes.
Po më 1866 Rossi botoi vëllimin e parë të Fjalorit italisht-shqip Vocabolario Italiano Epirotico con tavola sinottica prej 924 faqesh. Vëllimin e dytë prej 1400 faqesh të Fjalorit shqip-italisht Vocabolario della Lingua Epirotica-Italiana, compilato sui Vocabolarii Tanfani, Trinchera ed altri..., ["Fjalor shqip-italisht, përpiluar mbi bazën e fjalorëve Tanfani, Trinchéra dhe të tjerë me tabelë sinoptike"] e botoi 9 vjet më pas më 1875. (M. Gj.)

 

Giuseppe SCHIRÒ (Junior) (1905 - 1984)

            Profesori arbëresh lindi në Kundisë (Contessa Entellina), fshat arbëresh pranë Palermos. Mësimet e mesme i mori në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë, qendër e njohur atdhetare e kulturore arbëreshe.
I lidhur ngushtë me fatin dhe kulturën e botës arbëreshe, pjesën më të madhe të veprës shkencore ia kushtoi asaj. Veprimtarinë akademike e ushtroi në Universitetin e Padovës e, më pas, në atë të Romës, si lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe; më pas profesor ordinar i Katedrës së Filologjisë dhe Historisë Bizantine.
Njohja e thellë e fushave të albanologjisë dhe bizantologjisë i lejoi arritjen e gjykimeve të sakta e objektive për shumë momente e tema të historisë dhe kulturës shqiptare e arbëreshe. Shprehja e tij “Arbëria është një fenomen joekskluzivisht i lidhur me trevën. Kudo ku një arbëresh ndez një zjarr dhe formon një familje, një grup, një bashkësi arbëreshe, atje shfaqet Arbëria”, ishte njëkohësisht moto e veprimtarisë së tij kërkimore e shkencore, që e nxiti t’i sjellë botës shqiptare tekste themelore që ndriçojnë historinë e kulturës dhe të letrave shqipe.
Përgatitja për botim e Kanunit të Lek Dukagjinit në gjuhën italiane (Romë, 1941), së bashku me Pal Dodajn e Gjergj  Fishtën, pasohen me Storia della letteratura albanese ["Histori e letërsisë shqipe"] (1959), që nga bota akademike arbëreshe e më tej u mirëprit si vepër themelore e kësaj fushe.
Botimi kritik i veprës së poetit Giuseppe Schirò me titullin Kthimi (1965) e më pas studimi filologjik i La creazione del mondo i Nikolla Ketës mbeten modele të një pune serioze me tekstet themelore letrare e dokumentare.
Po aq e rëndësishme mbetet vepra e tij bizantologjike Analecta Hymnica Graeca (1966-1980) në 12 vëllime, që përfshijnë 7 mijë faqe greqisht, të pabotuara më parë, të Italisë Jugore. Me interes albanologjik është vepra tjetër La Cronaca dei Tocco di Cefalonia ["Kronika e Tokove të Qefalonisë"] (1975). I zellshëm dhe i vijueshëm ishte edhe bashkëpunimi i studiuesit me shtypin e arbëreshëve të Italisë. (M. Gj.)

 

Matteo SCIAMBRA (1914 - 1967)

Albanologu italoshqiptar lindi në Kundisë (Contessa Entellina), fshat arbëresh pranë Palermos. Studimi në seminarin e Grottaferrat-ës, krahas përgatitjes së priftit të ritit greko-bizantin, ngjalli dashurinë për kulturën dhe letrat shqipe. U laurua në Fakultetin e Letrave në Universitetin e Palermos dhe pati fatin të jetë asistent i albanologut të shquar Giuseppe Valentini, titullar i Katedrës së Shqipes. Drejtoi kursin mbi poezinë sikulo-arbëreshe, mbështetur veçanërisht në krijimtarinë poetike të Françesko Krispi-Glavianos për të cilin botoi monografinë Mbi malin e Trundafilave (1963), duke përmbledhur tekstin origjinal dhe një hyrje të gjatë me shënime e komente.
Letërsia e vjetër shqipe u bë objekt i përhershëm i veprës së tij shkencore. Veprat Bogdanica (1965), mbështetur në dokumentet e pabotuara të Bogdanit në arkivat e Propaganda Fide dhe riprodhimi e komenti i zgjeruar i shkrimtarit të parë arbëresh Lekë Matrangës, La "Dottrina Cristiana" Albanese di Luca Matranga (1964), mbeten dy maja të trashëgimisë sonë letrare e historike.
Pjesë e trashëgimisë pedagogjike e gjuhësore të arbëreshëve të Italisë bëhet edhe studimi i gjatë mbi historinë e Katedrës Shqipe të Universitetit të Palermos, botuar në “Vjetarin e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare” (1966). U ndoq më pas me studimin rreth evolucionit të gjuhës dhe mendimit të Giuseppe Schirò-it nga botimi i parë (1900) me të dytin (1940) të poemës Te dheu i huaj dhe me L’Albania e Scanderbeg nel piano generale di crociata di Callisto III: 1455-1458 ["Papa Kalisti III, Skënderbeu, Shqipëria dhe Kryqëzata : (1455-1458)"] në bashkëpunim me G. Valentinin dhe I. Parrinon në “Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata”- vol. XVI, 1967, botuar shqip më 2009. (M. Gj.)

 

Franz SEINER (1874 - 1929)

Gjeografi austriak, eksplorator i njohur i kontinentit afrikan, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore drejtoi zyrën e statistikave në Shkodër. Veprimtarinë e tij për regjistrimin e popullsisë së zonës e shtriu në të gjithë vendin. Libri i tij Ergebnisse der Volkszahlung in Albanien ["Numrim i parë i popullsis në Shqipni"] (1922), botuar edhe shqip po atë vit, është i pari i llojit të vet mbi popullsinë e Shqipërisë. Shtypi i kohës, duke e vlerësuar, e prezantoi si “një armë shkencore e fortë kundër pretendimeve të padrejta të fqinjve të shtetit të ri shqiptar”. Kjo vepër dhe, përgjithësisht, veprimtaria  statistikore e Seiner-it ndihmuan në pikëpamje organizative dhe metodike për veprat e tjera të këtij lloji si ato të Teki Selenicës (1923, 1928) e të tjera.
Vepra tjetër Die Gliederung der albanischen Stamme ["Ndarja e fiseve në Shqipëri"] (Graz 1922), është një studim i vlefshëm mbi bajrakët dhe fiset në Shqipërinë e Veriut. (M. Gj.)

 

Carlo TAGLIAVINI (1903 - 1982)

Gjuhëtar i njohur italian, vijues i veprës albanologjike të Majerit, Pedersenit dhe Joklit, Tagliavini ishte një personalitet i veçantë i shkencave gjuhësore. Studimet në fushën e romanistikës dhe ballkanistikës nuk mund ta mbanin të palidhur edhe me shqipen. Autor i disa monografive dhe studimeve mbi shqipen, veçanërisht në fushën e dialektologjisë, leksikologjisë historike dhe historisë së gjuhës shqipe, Tagliavini solli që në moshën 20-vjeçare kontributet e para albanologjike. Më 1936 themeloi Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Padovës. L'Albanese di Dalmazia. Contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo presso Zara (1937) ["Arbënishtja e Dalmacisë. Kontribute për njohjen e dialektit gegë të Borgo Ericos pranë Zarës"], mbetet vepra e tij e parë madhore mbi shqipen. Me vlera të spikatura mbetet edhe studimi dialektologjik Le parlate Albanesi di tipo ghego orientale (Dardania e Macedonia Nord - Orientale) (1942)["Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindore (Dardania dhe Maqedonia Veriperëndimore]", pasuar më 1965 me Stratificazione del lessico albanese : elementi indoeuropei ["Shtresëzimi i leksikut shqip: elemente indoeuropiane"]. Disa punime realizoi edhe në fushën e përkimeve dhe paralelizmave leksikore, fonetike e gramatikore mes shqipes dhe rumanishtes.
Vend të veçantë zë Tagliavini në bibliografinë shqiptare. Pasoi në kolanën e bibliografive për Shqipërinë Albert Thumb-in dhe Norbert Jokl-in me Bibliographie des Jahres 1940. Albanese e Linguistica balcanica comparata. Indogermanisches Jahrbuch (1943). (M. Gj.)

 

Ludwig (Lajós) von THALLOCZY (1854 - 1916)

Themeloi kërkimet dhe studimet historike hungareze mbi Europën Juglindore. Njohës i mirë i arkivave të Hungarisë dhe Austrisë, pedagog i Universitetit të Budapestit, president i Shoqatës së Historianëve Hungarezë dhe bashkëthemelues i Akademisë Hungareze të Shkencave, la gjurmë të thella edhe në shkencat albanologjike.
Përmbledhja dokumentare Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia ["Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë Mesjetare"] (Vjenë, 1913-1916), vepër kolektive dyvëllimshe, mbart edhe ndihmën themelore të Thalloczy-it. Të 1646 dokumentet e mbledhura dhe hulumtuara në arkivat e Venedikut, Raguzës, Romës etj. sjellin një  histori mbi njëmijëvjeçare të Shqipërisë (344 - 1406).
Të dhënat dokumentare mbi marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, kulturën, jetën qytetare, lidhjet e familjeve fisnike mes vetes e me të tjera fqinje tej kufijve etnikë, na vijnë edhe nëpërmjet hulumtimit të zellshëm, eksplorimit të gjallë përmes epokave historike dhe objektivitetit të vëzhguesit dhe kritikut të mprehtë.
Vepra tjetër Illyrisch-albanischen Forschungen ["Vëzhgime iliro-shqiptare", botuar shqip më 2004] (Münich-Lajpcig, 1916) është produkt i bashkëpunimit shkencor model me Jireçek, Shuflai etj. Vepra përmban studime historike e etnologjike mbi Shqipërinë mesjetare. Studime të Thalloczy-t në këtë bashkëpunim janë: Historia parake e ilirëve në qarkun e Bosnjës, Kruja dhe qarku i saj bërthamë e Shqipnis mesjetore, Diaspora  shqiptare, Shkrime mbi historinë e zonave të ngulimit në Gadishullin Ballkanik, e përbërë nga Teoria mbi çështjen vllahe ose rumune, Kanuni i Lezhës, Projektligje turke. Historiografia moderne e sheh këtë vepër si përmbledhjen më të besueshme të dokumenteve apo burimeve historike mbi Shqipërinë mesjetare. (M. Gj.)

 

Gustav WEIGAND (1860 – 1930)

            Kush merret me çështjen e gjuhës shqipe, herët a vonë do të ndeshë Gustav Weigand-in. Çmohet edhe në ditët e sotme si romanist, filolog balkanologjie dhe bullgarist, por edhe si albanolog.
Ndonëse kishte bindjen (madje është përfaqësuesi më në zë i saj), se shqipja duhej vlerësuar duke u nisur veçanërisht nga substrati trak, Weigand-i solli kontribute me vlera për albanologjinë. Në Universitetin e Lajpcigut në vitin 1891 fitoi të drejtën të jepte mësim dhe që nga viti 1893 ishte drejtor i Institutit për gjuhën rumune, themeluar prej tij. Nga viti 1896 deri më 1928 punoi profesor i filologjisë romane. Mbahet si studiuesi më i rëndësishëm i arumanishtes. Pas institutit rumun dhe atij bullgar e grek, në Lajpcig, në verën e vitit 1925 Weigand-i hapi edhe një institut shqiptar. Interesat e tij nuk shtrihen vetëm te rumanishtja (studimin e dialekteve dakorumune, hartimin e atlasit gjuhësor të gjithë viseve rumune), por shumë shpejt te bullgarishtja dhe më në fund te shqipja.
Ka merita të mëdha për hulumtimin e shqipes si në studim dhe teori, ashtu edhe në fushën organizative. “Balkan – Arkiv” (Lajpcig), - revistë e themeluar prej tij u botua për tre vjet (1925-1928), duhet konsideruar si organi i parë i filologjisë balkanike. Solli një kontribut të rëndësishëm për hulumtimin e shqipes.
Në vitet e para të veprimtarisë së tij shkencore G. Weigand trajtoi shqipen kryesisht duke marrë parasysh rumanishten; por shumë shpejt kaloi edhe te një vrojtim i izoluar i kësaj gjuhe ballkanike ende pak të njohur.
Njohja e Gustav Weigand-it me shqiptarët dhe shqipen nuk bazohet vetëm te studimet në Gjermani por edhe në këndvështrimin e tij vetjak. Në periudhën prill 1889 deri tetor 1900, ndërmori një udhëtim studimesh nëpër Maqedoni, Shqipëri dhe në një pjesë të madhe të Greqisë Veriore. Në semestrin e dimrit  të 1889/1900 ai për herë të parë në universitet mban leksionin me temë “Për fillimin e studimit të gjuhës shqipe”, që ndiqet më 1900 nga “Gramatika shqipe duke patur parasysh në mënyrë të veçantë marrëdhëniet me rumanishten”. Në vitin 1909 Weigand-i përfundon një studim të dialektit geg të fshatit arbëresh Borgo Erizzo në Zarë.
Në vitin 1912 Weigand ndërmerr sërish një udhëtim studimi për në Shqipëri, dhe rezultati ishte Albanesische Grammatik im Südgegische Dialekt (Durazzo, Elbasan, Tirana) ["Gramatika shqipe në dialektin geg jugor (Durrës, Elbasan, Tiranë)"] (Lajpcig, 1913). Një vit më pas botoi Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Wőrterbuch. ["Fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip"] (Lajpcig, 1914). Me interes për të dhënat dhe përfundimet që sjell për folklorin dhe etnografinë e shqiptarëve të Maqedonisë, por veçanërisht për objektin e tij kryesor, gjuhën shqipe, është vepra Ethnographie von Makedonien : Geschichtlich – nationaler, sprachlich-statistischer Teil (Lajpcig, 1924). Fryt i punës së tij është edhe përkthimi në gjermanisht i disa këngëve nga Lahuta e Malcis e Fishtës, pajisur me komente e fjalor (Lajpcig, 1925). Në fondet e rralla të Bibliotekës sonë Kombëtare ndodhen rreth 80 koleksione librash me vlerë dhe revistash, dhuratë e albanologut të shquar. (M. Gj.)