NGJARJE

Hahn: nga gjermanistika në albanologji

Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së albanologut austriak Johann  Georg von Hahn,  më 2 dhjetor 2011 në ambientet e Bibliotekës Kombëtar u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Nga gjermanistika në albanologji. Johann Georg von Hahn, themeluesi i albanologjisë”, organizuar nga Departamenti i Gjuhës Gjermane të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (Universiteti i Tiranës) dhe mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Shoqata Austri - Shqipëri, Ambasada Austriake dhe Raiffeisen Bank.
Morën pjesë intelektualë e studiues shqiptarë, austriakë dhe gjermanë. Konferencën e hapi dr. Brikena Kacadej, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (UT), e cila falenderoi mbështetësit e veprimtarisë që mundësuan organizimin e kësaj Konference, si dhe të pranishmit që nderuan me praninë e tyre.  Konferencën e  përshëndeti  znj. Sigrid Kodym e Ambasadës Austriake.
Referatin kryesor e mbajti prof. dr. Emil Lafe, i cili  vlerësoi figurën e Hahn-it dhe kontributin e tij të çmuar në fushën e albanologjisë. U mbajtën një numër  ligjëratash mbi ndihmesën e Hahn-it në fushën e gjeografisë, historisë, gjuhësisë, folklorit dhe etnografisë, vlerësimin e potencialeve natyrore e humane të Shqipërisë, prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë shqiptare etj.
Vëmendje tërhoqi ligjërata e dr. Kurt Gostentschnigg-ut “Johann Georg von Hahn dhe albanologjia austro-hungareze midis shkencës dhe politikës”, si dhe kumtimi i dr. Michael-Schmid-Neke-s “Mendimi politik i Johann Georg von Hahnit”. Me interes të veçantë u ndoq kumtesa “Geschchtliches-et e konsullit von Hahn” e prof. dr. Aurel Plasarit, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, ku u theksua roli i Hahn-it  në interpretimin e historisë mesjetare shqiptare në dritën e burimeve dokumentare perëndimore dhe të “Memories” së Gjon Muzakës, të cilën Hahn-i e kishte siguruar përmes letërkëmbimit me Karl Hopff-in, para se ai ta botonte më 1873.
Konkluzionet e Konferencës i bëri prof. dr. Emil Lafe, i cili vlerësoi angazhimin serioz të kumtuesve dhe ligjëratat e tyre.
Me këtë rast të pranishmit vizituan ekspozitën “Johann Georg von Hahn në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare”, organizuar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare nga specialistët e Sektorit të Albano-Balkanologjisë.

A. Sh.